Elitat shqiptare gjithnjë në shënjestër

Elitat shqiptare gjithnjë në shënjestër

Nga: Jakup Krasniqi – 

Që në fillim të këtij shkrimi dua të risjell në kujtesë, (koincidencë rastësore apo jo, mbase edhe jo pa rëndësi, le ta vlerësojmë së bashku), se elitat shqiptare gjithnjë kanë qenë në shënjestër të eliminimit, përkatësisht dobësimit deri në shkatërrim të plotë. Kjo ndodhi sidomos gjatë dy shekujve të fundit, duke e lënë popullin shqiptar si peshkun në rërë.

Eliminimin e elitave shqiptare e pati filluar Perandoria Osmane që para Masakrës së Manastirit, në vitin 1830, një ekuivalencë kjo e pogromit ndaj hebrenjve në Rusi, i njohur botërisht, dhe që ka vazhduar deri në nëntorin e vitit 1912, kur Shqipëria u pavarësua pas shekujve robërie. Eliminimi i elitës, respektivisht elitave shqiptare, nisi edhe pas pavarësisë, sidomos atëherë kur Qeveria e Ismail Qemalit u detyrua të dorëhiqej. Me atë dorëheqje u eliminua klasa e pavarësistëve, e luftëtarëve të dalluar për kombin e shtetin shqiptar. Shumë prej tyre kishin shkrirë pasuri e katandi për liri e pavarësi, për shqiptari e Shqipëri të të gjithë shqiptarëve.

Historia na tregon se, për fat të keq, eliminimi i elitave atdhetare shqiptare vazhdoi edhe gjatë dhjetëvjeçarit të dytë të shekullit XX. Ky eliminim i elitave vazhdoi dhe u thellua pas vitit 1925, kur në pushtet, me ndihmën e qeveritarëve serbë, e grekë u kthye Ahmet Zogolli. Ai eliminoi sidomos dy kategoritë më të nevojshme për kombin: luftëtarët më të dëshmuar për komb e atdhe dhe intelektualët më të mëdhenj të kohës. Shumë prej tyre u vranë brenda e jashtë atdheut, si Luigj Gurakuqi e Hasan Prishtina, si dhe shumë të tjerë, si Fan. S. Noli, morën rrugën e ikjes nga atdheu, për të cilin kishin sakrifikuar shumë. Kjo ishte ikje për t’i shpëtuar vdekjes e dikush mund ta quante “ikje nga liria”! Ata që i shpëtuan eliminimit a ikjes u harruan ose u dhanë pas gotave të rakisë. Rasti më eklatant i kësaj forme eliminatore ishte poeti e luftëtari Mihal Grameno. Ndërsa në hapësirat shqiptare të mbetura jashtë Shqipërisë, në Jugosllavi, Serbi e Greqi, eliminimi i elitës shqiptare nuk është ndërprerë asnjëherë pas vitit 1913. Në fakt, politikat e këtyre të fundit ishin politika gjenocidi, pasi kishin për qëllim shuarjen e tërësishme ose të pjesshme të shqiptarëve si komb.

E keqja vazhdoi në këto përmasa edhe pas Luftës së Dytë Botërore; madje deri në ditët tona eliminimi i elitave intelektuale të krijuara me shumë mund, vështirësi e investime, çuditërisht si një mallkim “biblik”, nuk pushoi asnjëherë! Periudha e komunizmit edhe pse krijoi elita të shumta në shumë fusha të jetës intelektuale, profesionale, kulturore, shkencore e artistike, u tregua shumë e dhunshme dhe eliminatore ndaj shumë elitave kombëtare të krijuara para Luftës së Dytë Botërore. Vetëm dekada e fundit e shekullit XX do të sillte një frymë të re politike e demokratike, edukative, kulturore e humanitare nga politika e re shtetërore. Në këtë politikë të quajtur demokratike, elitat intelektuale, shkencore e artistike të kombit do të kishin një rol më me ndikim. Por kjo nuk ndodhi dhe ato u lanë në harresë nga politikanët e zhdërvjellët (të majtë e të djathtë), të rrethuar nga puthadorët e tyre. Këta të fundit, bashkë me shefat e tyre janë zhurmuesit dhe shurdhuesit e çdo mendimi apo ideje të kundërt, sidomos brenda përbrenda “partive” të tyre.

Kjo që u tha jo vetëm që nuk ndodhi në dekadën e fundit të shekullit XX, por nuk është duke ndodhur as në fund të dekadës së dytë të shekullit XXI. Dhe kjo shëmti nuk është duke ndodhur vetëm në një hapësirë të kufizuar të kombit tonë, por në të gjithë hapësirën tonë kombëtare, ku ka organizim politik e shtetëror dhe ky fakt dhemb shumë. Intelektualë të ndryshëm, shkencëtarë, shkrimtarë, artistë, mjekë, gjyqtarë dhe ekspertë të shumtë, sidomos ata që kanë kredo intelektuale e profesionale, kanë mbetur vrima e fundit e kavallit, siç thotë një fjalë nga urtia e pasur e popullit.

Kaosi i përgjithshëm ka mbuluar hapësirën tonë kombëtare, kaos që po bren dhe po rrezikon shumë të ardhmen e kombit. Kjo si pasojë, sepse hapësira shqiptare po qeveriset nga fuqia e muskujve dhe jo nga mendja e dijes dhe e përgjegjësisë drejtuese. Mbase kjo është pasojë, se zgjedhjet në hapësirat tona kombëtare në këto njëzet-tridhjetë vitet e fundit nuk kanë qenë zgjedhje të lira, të drejta e demokratike, prandaj jemi në një udhëkryq të madh. Nuk mund të ketë zgjedhje të lira e demokratike, aty ku “zgjedhjet” partiake janë autoritare apo “zgjedhje” me grushte e karrige. Në të dyja rastet shurdhohet debati dhe mendimi intelektual. Për çudi këto veprime aspak demokratike, intelektuale e njerëzore merren si shembuj pozitivë, sidomos autoritarizmi i individit. Kjo qasje tregon shkallën e lartë të mjerimit tonë intelektual; tregon mungesën e integritetit e të dinjitetit të njeriut tonë e sidomos të atyre që shiten si mbrojtësit e demokracisë!

Gjatë gjithë këtyre viteve ne nuk kemi parë drejtues politikë, kryetarë shteti a kryeqeveritarë, që ofrojnë në trupat këshilluese njerëz me integritet politik, intelektualë apo ekspertë të ndryshëm, që dinë e duan të këshillojnë si të merren vendimet e si të qeveriset vendi. Por të gjithë kemi parë se si i afrojnë njerëzit pa asnjë përvojë qeverisëse, madje në ndonjë rast, dhe jo rrallë, në kabinete të ndryshme të qeveritarëve sjellin individë sa për t’u dhënë një pagë mujore apo për t’u bërë një zgjidhje sociale. E këta njerëz jo pak herë bëhen deputetë, ministra e zëvendësministra.

Kështu vendi nuk qeveriset, madje kështu as nuk administrohet! Ndoshta qeveritarët tanë janë të gjithëdijshëm, magjistarë sui generis!

Historia e qeverisjeve të suksesshme ka treguar se drejtues apo qeveritar i suksesshëm është ai, që nuk është i gjithëdijshëm, por që di të afrojë rreth vetes njerëz profesionistë e me integritet. Ndërsa te ne, të “gjithëdijshmit” që merren me çdo gjë, në fakt nuk merren me asgjë!

Kjo po ndodh edhe te drejtuesit e shteteve tona, të cilët merren me gjithçka, por jo me atë për të cilën janë caktuar të bëjnë: ta qeverisin vendin për mirëqenien e kombit. Edhe këtë nuk janë duke e bërë.

E gjithë kjo është pasojë, se në shoqërinë shqiptare mungon debati elitar, ku secili është “mbret më vete apo shah në veti”, siç thotë populli ynë i urtë! Këtu secili mund të bëhet kryetar shteti, kryeministër apo, e pakta, deputet a ministër! Ndoshta “shkopi është vendosur ulët” dhe secili mund ta kapërcejë atë!

Një qeverisje që nuk respekton elitat e veta, duke i goditur, dobësuar apo shkatërruar ato, në fakt do t’i kthehet si bumerang fatit të tyre. Viteve të fundit këtij fenomeni i është kontribuar edhe me injorimin nga më të fortët, por edhe me vetënënshtrimin e qyqarëve.

Kujdes! Kujdes! Kujdes duhet të keni të gjithë ju, kushdo që jeni e ngado që jeni, që po mbështesni autoritarizmin e individit, “njëshit”, e jo vendimin e organeve të zgjedhura, qofshin ato partiake apo shtetërore (Qeveri, Kuvend e Drejtësi), duhet ta dini se nuk po mbështesni forcimin e shtetit të së drejtës, por vazhdimin e agonisë e të mjerimit intelektual dhe ekonomik në shoqërinë tonë! Peshqit rendin pas karremit, por përfundojnë në grep.

Me këtë formë e nivel të mjerimit të shpërfaqur në debatin e këtyre ditëve, zhvillimi i demokracisë dhe ndërtimi i shtetit të së drejtës në Kosovë janë tepër larg!

Përpiqem ta kuptoj zhurmimin e shurdhimin e mendimit elitar në rrjete sociale, portale e medie të tjera private a qeveritare, në parti a partiçka politike, por është vështirë të kuptohet heshtja aty ku duhet të ketë elitë intelektuale apo akademike!

Ose mbase shqiptarëve as në këtë shekull nuk u duhet mendimi elitar!

Autori është doktor i shkencave të Historisë, ishte kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, aktualisht kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate të Kosovës

 

COMMENTS