Edhe për sa kohë mund të mbijetojë aleanca e Erdoganit

Edhe për sa kohë mund të mbijetojë aleanca e Erdoganit

Partia në pushtet, të mund të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare në të njëjtën kohë me ato lokale, në një përpjekje për të arritur sërish shumicën në parlament

Qeverisja vetëm, pa pasur nevojën e koalicioneve, ka qenë gjithnjë një synim kryesor elektoral i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në Turqi, e cila pretendon se koalicionet paraqesin rreziqe për stabilitetin politik, dhe pengojnë marrjen e vendimeve të shpejta.

AKP arriti që qeverisë e vetme Turqinë, vetëm pasi u ngjit për herë të parë në pushtet në vitin 2002. Në zgjedhjet e 24 qershorit, që shënuan kalimin e Turqisë në një sistemin presidencial, kreu themelues i AKP-së, Presidenti Rexhep Tajip Erdogan fitoi një mandat të ri në këtë detyrë me 52.6 për qind të votave, duke marrë kompetenca të shumta nën sistemin e ri të qeverisjes.

Megjithatë, AKP-ja dështoi të siguronte një shumicë absolute në parlamentin 600 vendësh, çka do të thotë se do të duhet të pranojë një lloj “koalicioni të fshehtë” me partitë e vogla të opozitës për të miratuar ligje.

Në zgjedhjet e nëntorit 2015, kjo parti mori 49.5 për qind të votave dhe siguroi 317 vende në parlament, që në atë kohë kishte gjithsej 550 vende. Më 24 qershor, AKP fitoi 42.5 për qind të votave dhe 295 vende në parlament, duke rënë disi nga 301 vendet e nevojshme, për të pasur e vetme shumicën.

Rezultati nxori Partinë e Veprimit Kombëtar të ekstremit të djathtë (MHP), si një partner natyral në koalicionin e AKP. MHP, që hyri në këto zgjedhje në aleancë me AKP, dhe mbështeti rizgjedhjen e Erdoganit, mori 11.1 për qind të votave dhe 49 vende në parlament.

Por gjatë fushatës, të dyja partitë treguan se nuk janë në një unison të përkryer, duke përfshirë çështje të mëdha, sikurse është gjendja e jashtëzakonshme, e vendosur që nga përpjekja e dështuar për grusht shteti në korrikun e 2016-ës. Udhëheqësi i MHP, Xhevdet Bahçeli, pohoi se gjendja e emergjencës duhet të vazhdojë, megjithëse Erdogan sinjalizoi se ajo nuk do të zgjatej përtej datës 19 korrik, kur edhe skadon afati i fundit 6-mujor.

Gjithashtu, Bahçeli ka kërkuar vazhdimisht një amnisti të gjerë për shumë të burgosur, çka është refuzuar me forcë nga qeveria. Në takimin e parë pas zgjedhjeve të 27 qershorit, Erdogan dhe Bahçeli ranë dakord t’i jepet fund gjendjes së jashtëzakonshme, por Bahçeli duket se ka marrë në këmbim një lëshim të madh.

Bëhet me dijse se të dyja partitë do të marrin në konsideratë ndryshimet në ligjin anti-terror, ligjin e sigurisë së brendshme dhe kodin penal, që do të kompensonin heqjen e gjendjes së emergjencës, çka me fjalë të tjera e bën emergjencën të përhershme.
Marrëveshja, duket të jetë një shenjë e “modus operandi”, midis dy partnerëve në periudhën e ardhshme. Thënë thjesht, aty ky MHP ka vija të kuqe, AKP do të duhet të bëjë lëshime për të arritur atë që dëshiron. Gjatë takimit dypalësh, Erdogan dhe Bahçeli, ranë dakord të ngrejnë një komision të përbashkët e të përhershëm kombëtar, për të punuar në sheshimin e dallimeve midis të dyja palëve.

Megjithatë, pavarësisht nga vullneti i përbashkët për pajtim, Erdogan urren të ndajë pushtet me të tjerët. Teksa kreu i AKP-së s’ka qenë kurrë në opozitë, apo të ketë pasur një partner koalicioni, ndërsa partia e tij ka qenë gjithmonë e fortë në parlament. Përjashtimi i vetëm ishin zgjedhjet e qershorit 2015, në të cilat AKP-ja humbi shumicën e saj parlamentare.

Megjithatë, Erdogan manovroi me sukses për të shmangur një qeveri koalicioni, dhe për të siguruar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në nëntor të atij viti, që rrikthyen AKP-në si shumicë parlamentare.

Tani Erdogan është i pajisur me fuqi ekzekutive shumë të gjera, por partia e tij nuk ka një shumicë në parlament, duke bërë që shumë njerëz të pyesin nëse historia do të përsëritet. A mundet Erdogan të thërrasë zgjedhje të parakohshme në vjeshtë, në një përpjekje për të rritur mbështetjen e tij parlamentare, dhe i dhënë fund presionit për t’u bashkuar me MHP-në, apo ndonjë parti tjetër?

Atila Sertel, deputet i Partisë Republikane, forca kryesore e opozitës, beson se AKP dhe MHP do të ndahen në mënyrë të pashmangshme. “MHP dhe AKP nuk mund të ecin së bashku për një kohë të gjatë. Kjo nuk do të ishte mirë as për Turqinë. Prandaj unë mendoj se do të ketë zgjedhje të parakohshme”- tha ai.

Jusuf Halaçogllu, një deputet i njohur i partisë opozitare Mirë (IYI), beson se Erdogan do të gjejë mënyra të tjera, për t’i dhënë fund vartësinë së tij nga MHP, domethënë ai do të përpiqet të blejë deputetë ligjvënës nga partitë e tjera. Për shkak se aleanca AKP-MHP, ka një shumicë absolute prej 344 vendesh në parlament, opozita ka pak shanse të rrëzojë ligje apo dekretet e Erdoganit.

Megjithatë teorikisht, mundësia që MHP të ndryshojë krah ekziston. Gjithashtu, çdo bashkëpunim i mundshëm me partinë IYI, mund të shkaktojë tendosje në aleancën AKP-MHP.

Sipas sistemit të ri, zgjedhjet e parakohshme legjislative, mund të thirren nga presidenti ose parlamenti, çka kërkon një shumicë prej tre të pestash.

Megjithatë, nëse ato i thërret presidenti, zgjedhjet e parakohshme presidenciale janë të detyrueshme, së bashku me atë parlamentare. Ndërkohë, Turqia po përgatitet të mbajë zgjedhje lokale në marsin e vitit 2019. Ka tashmë zëra se AKP, do të kërkojë t’i afrojë këto zgjedhje në kohë, në tetor apo nëntor të këtij viti, përpara asaj që shumë njerëz e shohin si një përkeqësim të pashmangshëm të vështirësive ekonomike në vend.

Nga ana tjetër, kjo risjell në mend mundësinë që partia në pushtet, të mund të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare në të njëjtën kohë me ato lokale, në një përpjekje për të arritur sërish shumicën në parlament. / Në shqip nga bota.al

COMMENTS