Edhe Hajdar Beqa i del kundër Kadri Veselit

Edhe Hajdar Beqa i del kundër Kadri Veselit

Me vendimin e Kadri Veselit për largim nga detyra zyrtare të bashkëpartiakëve që kanë aktakuza nuk po pajtohen disa nga themeluesit e PDK-së. Sami Lushtaku e Sokol Bashota vazhdojnë t’i mbajnë postet e tyre si krerë të PDK-së në Skenderaj e në Klinë ndonëse kanë të ngritura aktakuza.

Njohës të çështjeve politike në vend konsiderojnë se me këtë vendim kryetari i PDK-së po has në rezistencë nga njerëz të krahut të Hashim Thaçit.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, është shprehur për gazetën “Zëri” se Sami Lushtaku dhe Sokol Bashota, ndonëse kanë aktakuza, nuk i kanë të llojit të aktakuzave të cilave Veseli u ka shpallur luftë.

“Vendimi i kryetarit Veseli ka qenë i qartë dhe ka bërë kategorizime për të cilat aktakuza bëhet fjalë, domethënë për rastin kur ka të bëjë me ‘Korrupsion’, ‘Nepotizëm’ dhe me ‘Keqpërdorim të detyrës zyrtare’. Sa u përket personave në fjalë, unë nuk kam informatë që kanë aktakuzë për këto kategori të veprave të cilat i ka përmendur zoti Veseli në vendimin e tij”, ka thënë Beqa.

Beqa nuk e pranon se ka pasur kundërshtime brenda partisë për vendimin e Veselit, megjithatë ai thotë se qëndrimet e partisë duhet të respektohen nga të gjithë.

“Unë nuk kam parë ndonjë kundërshtim brenda partisë për këtë vendim. Edhe zoti Lushtaku, edhe zoti Bashota janë njerëz me besueshmëri në shoqëri dhe në parti, por në të njëjtën kohë vendimet që merren në parti përmes kryetarit të partisë duhet të respektohen nga të gjithë, sepse nuk bëhen për individë të caktuar, por për të gjithë e në interes të shoqërisë dhe të zhvillimit kolektiv”, ka thënë Beqa..

 

COMMENTS