E vrau fqinjin me sëpatë për shkak të druve, pejani dënohet me 13 vjet burg

E vrau fqinjin me sëpatë për shkak të druve, pejani dënohet me 13 vjet burg

Fatmir Llonqari është shpallur fajtor dhe është dënuar me 13 vjet burg nga Gjykata Themelore në Pejë për një vrasje me sëpatë që kishte ndodhur vitin e kaluar.
Llonqari akuzohej se e kishte goditur për vdekje dy herë me sëpatë fqinjin e tij, viktimën Idriz Gegën, i cili nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.

Sipas aktakuzës shkas për këtë vrasje ishte mosmarrëveshja për drutë.

Në aktakuzë thuhet se përderisa Idriz Gega ishte duke zbrazur drutë në rrugë para dyerve të shtëpisë së tij, një pjesë e tyre kishin prekur murin e fqinjit Fatmir Llonqari, i cili erdhi dhe iu drejtua viktimës me fjalët “pse po ma prek murin me dru”.

Aktakuza përshkruan se më pas, Llonqari kishte hyrë në oborrin e shtëpisë së tij e kishte marrë sëpatën dhe me çukë të saj e kishte goditur viktimën dy herë në kokë.

Llonqari akuzohej edhe për tentim vrasjen e Ferid Gegës, mirëpo për këtë pikë u lirua për shkak se Gjykata konsideroi se i njëjti ka vepruar në mbrojtje të nevojshme.

Në këtë proces gjyqësor për tentim vrasje po gjykohej edhe djali i të ndjerit Idriz Gega, i pandehuri Ferid Gega.

Atij gjykata i shqiptoi dy vite burgim me kusht dhe dënim me gjobë në shumë prej 5,000 euro.

Ferid Gega u gjet fajtor për shkak se pasi kuptoi se babai i tij kishte vdekur, i mllefosur e kishte marrë armën dhe ishte nisur drejtë shtëpisë së Fatmir Llonqarit, duke shtënë disa herë në drejtim të tij.

Llonqari përmes mbrojtësit të tij i kishte shprehur ngushëllime familjes Gega. /kallxo.com/

 

 

COMMENTS