Digjet kulmi i shkollës në Koliq, s’ka asnjë nxënës të lënduar

Digjet kulmi i shkollës në Koliq, s’ka asnjë nxënës të lënduar

Nxënësit që ndjekin mësimet në shkollën e Koliqit të Prishtinës, do të mund të mbeteshin pa shkollë. Gjithë kjo ngase kulmi i shkollës në të cilën mësojnë ata, është përfshirë nga zjarri. Drejtori i kësaj shkolle i ka thënë Expressit se nga zjarri nuk është lënduar askush. Derisa thotë se as ata vetë nuk po e dinë se si erdhi deri te zjarri. Ndërsa, në Komunën e Prishtinës kanë thënë se janë të njoftuar me rastin dhe se sipas informative që ata kanë, është djegur kulmi i kësaj shkolle. Aktualisht, në këtë shkollë ndjekin mësimet 20 nxënës të këtij fshati, shkruan Gazeta Express.

Shkolla “Tefik Çanga”, në Koliq të Prishtinës, ku vijojnë mësimet 20 nxënës të këtij fshati, është përfshirë sot nga flakët. Por, ende askush nuk po e di se si erdhi deri te zjarri.

Drejtori i Shkollës, Nazmi Sheqiri i ka thënë Gazetës Express se nuk ka asnjë të lënduar nga zjarri.

Sheqiri thotë se zjarri është vërejtur nga arsimtarët e kësaj shkolle, të cilët pasi e kanë përfunduar punën kanë dalë jashtë dhe e kanë parë flakën që po dilte nga kulmi i shkollës.

Menjëherë pas kësaj, ai thotë se kanë njoftuar Policinë dhe zjarrfikësit, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë lokalizuar zjarrin.

“Qysh ka ndodhë nuk po e dimë as vet . Arsimtarët, pasi e kanë përfunduar orarin e punës kanë dal jashtë dhe e kanë pa zjarrin dhe na kanë njoftuar. Ishin ekipet,  tash po presim prej tyre me na njoftu”, tha ai.

Sheqiri deklaron se në shkollën që ai drejton, aktualisht ndjekin mësimet 20 nxënës.

Për rastin janë informuar edhe në Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Prishtinës.

Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri i ka thënë Gazetës Express se sipas informatave që ata kanë, është djegur kulmi i kësaj shkolle dhe se zjarri është lokalizuar shpejt.

“Sipas informatave që kemi, është djegur kulmi dhe zjarri është lokalizuar shpejt. Meqë nën kulm është edhe pllaka përfundimtare, nuk ka pasur shpërndarje të mëtutjeshme të zjarrit”, ka thënë Tahiri.

Ndërkohë, rastin për Express e kanë konfirmuar edhe në Policinë e Kosovës.

Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka thënë se nga zjarri janë shkaktuar vetëm dëme materiale, e nuk ka pasur të lënduar.

“Rreth orës 12:30 kemi marrë informatën për një rast zjarri në fshatin Koliq të Komunës së Prishtinës, saktësisht në një shkollë. Menjëherë pas marrjes së informacioneve njësitet policore dhe zjarrfikësit janë dalë në vendin e ngjarjes. Zjarri është lokalizuar. Në këtë rast janë shkaktuar vetëm dëme materiale”, ka thënë Ahmeti.

Ndryshe, vetëm gjatë vitit të kaluar janë raportuar rreth 9 mijë raste të zjarreve në vend.

 

 

COMMENTS