Detaje të reja për profilin e terroristit tunizian që masakroi tre francezët

Detaje të reja për profilin e terroristit tunizian që masakroi tre francezët

Tashmë është bërë e ditur se autori i masakrës në Nice është 21-vjeçari nga Tunizia, që ka hyrë në shtetin francez nga Italia, më saktë nga ujdhesa e Lampedusas më 20 shtator.

Sipas Gazetës Figaro, policia franceze ka bërë një punë të rëndë të enjten për ta përcaktuar profilin e sulmuesit në bazilikën Notre Damme në Nice.

Sulmi terrorist islamik ua mori jetën tre personave: një 60-vjeçari, një nëne me kombësi braziliane dhe një zyrtari të kishës.

Sipas hetimeve të para, kryesi i aktit terrorist është regjistruar nga kamerat e sigurisë të enjten në orën 6 e 47 të mëngjesit në stacionin e trenit në Nice, nga ku është larguar në orën 8 e 13. Ai aty i ka ndërruar këpucët dhe xhaketën e tij.

Sulmi ka filluar saktësisht në orën 8 e 29, kur kryesi i sulmit terrorist ka hyrë në bazilikën e Notre Dame. Aty ka qëndruar rreth gjysmë ore. Gjatë kësaj kohe i ka sulmuar tre viktimat. Këto të dhëna i ka bërë të ditura Jean Francois Ricard, prokuror i antiterrorizmit. Gruaja me origjinë braziliane ia ka dalë të largohet nga kisha në orën 8 e 54, por ka vdekur nga plagët e shkaktuara nga thika.

Pas krimit, policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, ku është ballafaquar me sulmuesin, i cili ka thirrur “Allah Akbar” derisa ka shkuar në drejtim të tyre me një thikë me teh 17 centimetra të gjatë.

Para se të shtinin me armë zjarri, policët kanë përdorur një pistoletë elektrike.

Sipas prokurorit, në çantën e sulmuesit janë gjetur dy telefona, një Kuran dhe dy thika që nuk i ka përdorur. Terroristi i plagosur rëndë më pas është dërguar në spital.

Prokurori ka thënë se hetimi për rastin do të jetë i ndërlikuar, pasi kryesi i sulmit ka qenë i panjohur për shërbimet sekrete franceze për shkak se atij nuk i ishin marrë shenjat e gishtërinjve, por ajo që dihet është fakti që tuniziani ka hyrë së voni në Francë.

Hetuesit, pasi kanë gjetur një dokument të Kryqit të Kuq në vendin e krimit, kanë marrë vesh se 21-vjeçari ka hyrë në Francë nga Italia më 20 shtator në një varkë me imigrantë të tjerë. Më 9 tetor, ai kishte zbarkuar në Bari të Italisë, zbuloi prokurori.

Ai nuk ka aplikuar për status të azilantit të Francë. Tuniziani u kishte rënë në sy autoriteteve italiane, të cilat madje e kishin planifikuar edhe dëbimin e tij, sipas ministrit francez të Drejtësisë. Por, gazeta Il Corriere ka shkuar se autoritetet italiane nuk e kanë mbajtur atje me qëllimin që të riatdhesohet, por është lënë i lirë për shkak se nuk ka pasur vend në qendrat e mbajtjes ose për shkak të rasteve me COVID-19.

Sidoqoftë, ministri francez i Drejtësisë ka thënë se nuk i fajëson autoritetet italiane, transmeton Gazeta Express.

Ka gjasë që sulmuesi ishte në kontakt me një burrë 47 vjeç

Në mbrëmjen e ditës kur ndodhi sulmi, një burrë 47 vjeç u dërgua në paraburgim pas dyshimit se ka qenë në kontakt me sulmuesin të mërkurën.

Prokurorët kundër terrorizmit tash për tash janë duke punuar në hetimet për veprat e vrasjes dhe vrasjes në tentativë në lidhje me një organizatë terroriste dhe shoqatë terroriste kriminale. Hetimet janë duke u koordinuar me Nëndrejtorinë Kundër Terrorizmit. “Hetimet po vazhdojnë në mënyrë aktive me qëllim të qartësimit të rrjedhës së saktë të fakteve, të të dhënave për autorin e aktit si dhe për mundësinë e bashkëkryerjes nga e cila ai mund të ketë përfituar”, tha të enjten në mbrëmje prokurori kundër terrorizmit.

 

COMMENTS