Del në ankand letra e Ajnshtajnit për Zotin, pritet të shitet rreth 1.5 milion dollarë

Del në ankand letra e Ajnshtajnit për Zotin, pritet të shitet rreth 1.5 milion dollarë

Një dorëshkrim i shkencëtarit Albert Ajnshtajn, i njohur si “Letra për Zotin”, pritet që të shitet për 1.5 milion dollarë kur të dalë në ankand publik. Letra është e gjatë një faqe e gjysmë dhe është shkruar në vitin 1954. Shkrimi është në gjuhën gjermane dhe i është drejtuar filozofit Erik Gutkind. Në të trajtohet tema e Zotit, Biblës dhe Jehudizmit.

Në këtë letër, mes tjerash, Ajnshtajni shkruan: “Fjala Zot për mua nuk është asgjë më shumë se shprehje dhe produkt i dobësisë njerëzore. Bibla është një përmbledhje e legjendave të ndershme, por primitive, të cilat, megjithatë, janë goxha fëmijërore.” Këto fjalë të letrës janë publikuar si dëshmi që Ajnshtajni ka qenë ateist, ndonëse ai kishte thënë se nuk është i tillë dhe nuk pranonte të identifikohej ashtu.

Në këtë letër Ajnshtajni e shpreh edhe zhgënjimin e tij ndaj Jehudizmit. “Për mua, Jehudizmi, si të gjitha fetë tjera, është mishërim i disa besëtytnive më fëmijërore. Ndonëse i përkas njerëzve hebrenj dhe kam afërsi me mendësinë e tyre, për mua ata nuk janë në shkallë më të lartë se njerëzit tjerë”, shkruhet në letër.

Letra ishte shkruar si kundërpërgjigje për librin e filozofit Gutkind, i titulluar “Zgjedhe jetën: Thirrja biblike për revoltë”. Ajo ishte ruajtur në mesin e dokumenteve të filozofit, por më pas ishte vendosur në ankandin e Londrës në vitin 2008. Në atë kohë, letra ishte shitur për 170 mijë funte, ndërkaq tash ajo pritet të shitet me një çmim gati dhjetëfish më të lartë, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

 

 

COMMENTS