Deklarata e Lajçakut në Beograd trazon Prishtinën

Deklarata e Lajçakut në Beograd trazon Prishtinën

Deklarata e emisarit të BE-së, Miroslav Lajcak, e bërë nga Beogradi rreth punës së ndryshimit të Kushtetutës me qëllim të implementimit të marrëveshjes së Asociacionit, ka nxitur reagime në Prishtinë, shkruan Gazeta Express

Emisari sllovak ka thënë se Kushtetuta mund të ndryshohet dhe se nuk është Bibël.

“Kushtetuta nuk është Bibla. Nëse biem dakord për çështje serioze, atëherë sigurisht që duhet të pasqyrohet në Kushtetutë”, ka thënë Lajçak.

Por, me këtë deklaratë të tij nuk po pajtohen krerët e institucioneve e partitë politike.

Kryekuvendarja, Vjosa Osmani, sot para mediave ka thënë se ajo vetë në asnjë rast në takimin me Lajçakun s’ka folur për ndryshime kushtetuese.

“Unë edhe gjatë takimit kam deklaruar se duhet të respektohet Kushtetuta. Ato citime të tij i shoh shumë shqetësuese, nuk kanë të bëjnë fare me realitetin. Nuk ka shumicë në Kuvend që do të pranonte një asociacion, por, ka shumicë absolute që insiston që të respektohet vendimi i Kushtetueses, jam i bindur që nuk ka shumicë as për ndryshimin e Kushtetutës”, ka thënë sot kryetarja e Kuvendit.

Në të njëjtën vijë me Osmanin ka folur mbrëmë edhe kryeministri i vendit, Avdullah Hoti. Ai ka thënë se asnjëherë nuk është diskutuar me BE-në për kompetencat e Asociacionit.

“Asnjëherë deri tani nuk kemi biseduar për asnjë çështje që lidhet me kompetencat e këtij asociacioni. Na është shtruar neve se a e pranon shteti i Kosovës obligimin që e ka për themelimin e Asociacionit. Është obligim i joni, sepse është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Nëse 80 deputetë të Kuvendit të Kosovës e zhvlerësojnë ose e anulojnë atë marrëveshje ndërkombëtare, atëherë unë nuk kam të drejtë të insistoj dhe as BE-ja nuk mund ta kërkojë. Asnjë fjalë nuk është diskutuar as për draftin e statutit, sepse nuk kemi ardhë në atë pikë”, ka deklaruar mbrëmë Hoti.

Se a do të bashkoheshin për të ndryshuar apo anuluar këtë marrëveshje ndërkombëtare s’e kanë bërë të qartë partitë politike.

Gazeta Express ka pyetur të gjitha subjektet për këtë propozim, megjithatë, deri në momentin e publikimit të lajmit është përgjigjur vetëm AAK-ja.

Deputetja e këtij subjekti, Time Kadrijaj, ka thënë për Gazetën Express se për vendime të tilla në AAK debatohet në Këshill Drejtues e me vota vendoset.

Partia e Albin Kurtit ndërkaq ka reaguar përmes një shkrimi në Facebook të cilin e ka bërë zëdhënësi i subjektit, Përparim Kryeziu. Në këtë reagim thuhet se në takimin me Lajcakun është diskutuar për procesin e dialogut në vete.

“Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe nuk ka mundur të jetë temë e këtij takimi pasi z. Lajcak është shumë i vetëdijshëm për qëndrimet dhe vlerësimet e LV-së në lidhje me të. Prandaj edhe nuk është paraqitur nevoja për riaktualizim të kësaj teme në takim me ne. Të njëjtën konsideratë me gjasë nuk mund ta ketë pasur në takimet e tjera, veçanërisht me ata të cilët e kanë negociuar e përkrahur si marrëveshjen e 2013-s, po ashtu, edhe atë të 2015-ës”, ka thënë ai duke shtuar se kjo me të drejtë mund të konsiderohet e mbyllur për LV-në.

Të gjitha palët në Kosovë deri më tani e kanë kundërshtuar kushtin e Serbisë që në dialog të vihet edhe një herë çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e kërkesën e tyre për kompetenca ekzekutive. Për këtë çështje, dialogu po vazhdon të qëndrojë pezull tash e sa kohë.

 

COMMENTS