Capello i vë në dyshim aftësitë e Ronaldos: Ka 3 vjet që s’e ka dribluar askënd

Capello i vë në dyshim aftësitë e Ronaldos: Ka 3 vjet që s’e ka dribluar askënd

Trajneri i famshëm italian, Fabio Capello, i ka vënë në dyshim aftësitë e sulmuesit të Juventusit, Cristiano Ronaldo, duke pretenduar se portugezi nuk e ka dribluar asnjë lojtar tash e tri vjet.

Ronaldo nuk po kalon nëpër formë të mirë këtë sezon dhe në dy ndeshjet e fundit të bardhezinjve u zëvendësua.

34-vjeçari u zëvendësua nga Paulo Dybala në minutën e 55-të kundër Milanit të dielën, pasi dështoi të ushtrojë ndikim në lojë, dhe argjentinasi e shënoi golin e fitores për Juven në minutën e 77-të.

Ronaldo u fut drejt e në zhveshtore menjëherë pasi u zëvendësua dhe raportohet se u largua nga stadiumi para se të përfundonte ndeshja.

Capello, dikur lojtar dhe trajner i Juves, nuk i pëlqeu reagimi i sulmuesit portugez pasi u zëvendësua dhe i vuri në dyshim aftësitë e tij të përgjithshme me topin në këmbë.

“Nuk më pëlqeu kjo, nuk ishte në rregull. Ai duhet të jetë kampion edhe kur del nga fusha”, tha Capello për Sky Sport Italia.

“E vërteta është se Cristiano Ronaldo nuk e ka dribluar asnjë kundërshtar që tri vjet. Isha komentator në La Liga kur ai zakonisht bënte hap të dyfishtë dhe të linte prapa. Brenda vetes, ai është superkampion, më i miri, por tani aty janë Dybala dhe Douglas Costa, të cilët i shënuan dy gola të jashtëzakonshëm. Dybala mund ta bëjë dallimin, siç mund ta bëjë edhe Costa”, shtoi ai.

“Ata i fitojnë ndeshjet pa Ronaldon. Bravo Sarrit i cili pati guximin ta largojë Ronaldon. Ronaldo nuk e ka shpejtësinë dhe dinamizmin që e kishte në ekipet e tjera”, përfundoi ai. /Gazeta Express

 

COMMENTS