Bushati flet hapur: Modeli i PS dështoi, në Shkodër krimi ka influencë politike

Bushati flet hapur: Modeli i PS dështoi, në Shkodër krimi ka influencë politike

“Është fakt që ne gabuam në Shkodër. Kjo nuk ka të bëjë thjeshtë dhe vetëm me kandidatin që ne ofruam në zgjedhjet e 30 qershorit por mendoj se në Shkodër ka dështuar modeli ynë”.

Ditmir Bushati ka kërkuar publikisht ndjesë për këtë dështim, ndonëse nuk pranon akuzën e Edi Ramës se Valdrin Pjetri ishte propozim i tij. Në një intervistë ekskluzive për A2CNN, ai thotë se një ndjesë i zyrtare i takon ta bëjë edhe Partia Socialiste.

“E para, e di gjithë Shkodra që kandidati nuk ishte propozim i strukturave socialiste të Shkodrës. E vërteta është e thjeshtë: struktura e PS në Shkodër propozoi 3 emra ndërkohë që Kryesia e PS ja dha besimin Valdrin Pjetrit”, tha ai.

Ish-ministri i Jashtëm ka qenë i deleguari i Kryesisë socialiste për Qarkun e Shkodrës. Për herë të parë ai flet mbi problemin e lidhjeve që ekzistojnë mes krimit dhe politikës.

“Një qytet i cili i ka rezistuar komunizmit, i ka rezistuar pushimeve të ndryshme, e ka mposhtur frikën qoftë përmes pentagramit apo humorit të hollë, sot nuk i nënshtrohet dot krimit, influencës së krimit. Qoftë edhe kur kjo influencë mund të vijë përmes politikës. Në rast se nuk adresojmë rrënjët e këtij fenomeni bëjmë gabim të merremi me kandidatin. Ne duhet të adresojmë rrënjët e këtij fenomeni. Duhet t’i bëjmë pyetjen vetes pse në tryezat tona u kthyen njerëz të cilët, partnerët tanë strategjikë, SHBA, i konsiderojnë si të papërshtatshëm. Çdo gjë tjetër është pasojë e këtij fenomeni”.

 

COMMENTS