Burimet e RTK’së në AKK: Naftëtarët kanë pasur marrëveshje të fshehtë për çmimet

Burimet e RTK’së në AKK: Naftëtarët kanë pasur marrëveshje të fshehtë për çmimet

Sonte RTK ka sjellë dyshimet se naftëtarët në Kosovë kanë pasur marrëveshje ndërmjet vete për t`i mbajtur çmimet të larta të naftës.

Lidhur me këtë javën e ardhshme do të dalë raporti hetimor. Burime brenda Autoritetit Kosovar të Konkurrencës që po e heton këtë rast, i kanë thënë RTK-së se nga informatat e deritashme, naftëtarët kanë pasur marrëveshje të bashkërenduar për t’i mbajtur çmimet të larta.

Naftëtarët kanë pasur marrëveshje për t’i mbajtur çmimet të larta të naftës. Kështu i kanë thënë RTK-së burime brenda Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, i cili po heton këtë çështje dhe është afër ta finalizojë raportin, pasi ka marrë informata nga institucionet kompetente. Këtë nuk e ka konfirmuar kryetari i Autoritetit, por ka thënë se raporti do të dalë javën e ardhshme.

Valon Pestreshi kryetar i AKK-së, tha se më së largu deri të premten e javës tjetër, dhe po besoj që nëse ka, sipas analizave nëse ka, do të dalin edhe me emrat e ndërmarrjeve, të cilat do të akuzohen normalisht, dhe pastaj do të fillojmë me hetim të thelluar.

“Në momentin që të gjendet që ka pas një marrëveshje të bashkërenduar, dhe koordinim të bashkërenduar, atëherë Autoriteti është i obliguar me ligj, që të vendos sanksionin administrativ deri në 10 % të secilës ndërmarrje, që ka marrë pjesë në këtë kartel”, tha ai për RTK-në.

Dallime të mëdha të çmimeve të derivateve ka edhe brenda në treg. Në Gjilan, një litër naftë në një pikë karburanti është shitur me 96 centë, derisa në një pikë shitje në Prishtinë me 1.13 centë.

RTK ka pyetur kryeministrin dhe ministrin e Tregtisë, se pse nuk po e shfrytëzojnë mundësinë që ua jep ligji për naftën, konkretisht neni 11, për të ndërhyrë në rastet e lëvizjeve të mëdha të çmimit të derivateve të naftës në tregun botëror dhe mospërshtatjen e çmimeve vendore me lëvizje të tilla.

Ministri është arsyetuar se nuk mund të ndërhyjnë pa pasur një rregullator.
Gjatë ditës, në berzën botërore, sipas faqeve të internetit, një barel nafte ka qenë 49.78 dollarë, derisa çmimi i një litre nafte në Kosovë mesatarisht ka qenë 1 euro e 13 cent. Ndërsa në muajin tetor të vitit të kaluar, një barel nafte ka qenë rreth 80 dollarë, derisa çmimi në Kosovë ka qenë rreth 1.20 cent.

Pra, nga tetori çmimi në berzë botërore ka rënë për afro 30 dollarë, apo mbi 37%, derisa në Kosovë, çmimi për një litër naftë ka rënë vetëm për rreth 7 centë ose 5.83%.

 

 

COMMENTS