Berisha kujton takimin me Bushin e Vjetër më 1992: Mori atllasin dhe më pyeti për Kosovën

Berisha kujton takimin me Bushin e Vjetër më 1992: Mori atllasin dhe më pyeti për Kosovën

Sali Berisha, kryeministër e president i dikurshëm i Shqipërisë, ka folur për bisedën që ka zhvilluar me ish-presidentin e ndjerë amerikan, George H.W. Bush, për Kosovën, shumë vite më parë.

“Ishte takimi më i rëndësishëm i jetës sime”, është shprehur Berisha në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, duke iu referuar takimit me Bushin e Vjetër, në Shtëpinë e Bardhë, në vitin 1992.

“Mund të them se çështje kryesore në atë takim ka qenë Kosova”, ka kujtuar Berisha.

“Dua t’i jap meritë mikpritësit tim… e hapi bisedën me Kosovën”, ka thënë ai, duke folur për takimin e 15 qershorit të vitit 1992.

“Mori atllas përpara, dhe hartën e Kosovës, duke më pyetur mua për situatën”, është shprehur Berisha.

Ish-udhëheqësi shqiptar ka thënë se koha më kryesore e takimit të tij me Bushin e Vjetër në Uashington iu kushtua Kosovës.

“Për mua, dhe për çdo shqiptar, Kosova ishte nën pushtim, dhe e kërcënuar për ekzistencën e saj”, ka thënë Berisha në T7.

“Copëtimi i mëtejshëm i saj e shuante nga harta”, ka theksuar ai.

Sipas Berishës, po të mos ishte paralajmërimi i famshëm i Bushit të Vjetër ndaj Sllobodan Millosheviqit, Serbia do ta sulmonte ashpër Kosovën. /Express/

 

COMMENTS