Bastorja sportive parashikon golashënuesin e Kosovës kundër Anglisë

Bastorja sportive parashikon golashënuesin e Kosovës kundër Anglisë

Pasi e shënoi golin e parë në fitoren e Kosovës kundër Republikës Çeke, Vedat Muriqi po përkrahet nga bastorja Paddy Power për të shënuar edhe në ndeshjen e sotme, kundër Anglisë.

Ekipi kombëtar i Kosovës do ta vazhdojë rrugëtimin drejt kualifikimit në Kampionatin Evropian 2020 me ndeshjen e sotshme kundër Anglisë, e cila nis në orën 20:45 në stadiumin e Southamptonit, “St. Mary’s”, raporton Gazeta Express.

Kjo ndeshje do të jetë e vlefshme për Grupin A të kualifikimeve në EURO – ku garojnë edhe Republika Çeke, Mali i Zi dhe Bullgaria. Favorite për ta fituar këtë grup është Anglia, mirëpo Kosova do të mund ta sigurojë një vend në Evropian edhe duke u radhitur e dyta në grup.

Për t’i përmirësuar gjasat për kualifikim në Kampionatin Evropian 2020, “Dardanët” do të shpresojnë se sulmuesi Vedat Muriqi do ta vazhdojë formën e tij të mirë.

“Nëse Kosova shënon, më së shumti gjasa ka që golashënuesi të jetë Vedat Muriqi i Fenerbahces, i cili kuotohet me 8/1. Muriqi ishte mbresëlënës sezonin e kaluar në Turqi me Rizesporin dhe këtë verë e fitoi transferimin në Fenerbahce, për të cilët ka shënuar dy herë në tri ndeshjet e këtij sezoni. Ai ka shënuar edhe në dy ndeshjet e fundit të Kosovës”, shkruan Paddy Power.

Për këtë ndeshje – njëjtë si për atë kundër Çekisë – trajnerit Challandes i mungojnë në skuadër pesë futbollistë të cilët zakonisht luajnë në formacionin e parë – Milot Rashica, Arbër Zeneli, Herolind Shala, Hekuran Kryeziu dhe Benjamin Kololli.

Momentalisht, Anglia e kryeson grupin A me nëntë pikë të fituara nga tri ndeshje të zhvilluara. Fitorja sonte do t’ia vazhdonte rekordin e 100 për qindtë në rrugën drejt EURO 2020, ndërsa disfata do të bënte që Kosova ta marrë kreun e grupit.

Në anën tjetër, Kosova radhitet e dyta në grup, me tetë pikë të grumbulluara nga katër ndeshje të zhvilluara. Fitorja do t’i vazhdonte Kosovës ecurinë e jashtëzakonshme prej 15 ndeshjeve pa disfatë, ndërsa humbja do t’ia jepte Republikës Çeke mundësinë ta marrë sërish vendin e dytë, pasi që çekët sot do të përballen me Malin e Zi.

Kjo është hera e parë që Kosova po përballet me Anglinë, ndërsa gjatë këtij viti do ta zhvillojë edhe një tjetër ndeshje me “Tre Luanët” – me 17 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri”. /Gazeta Express

 

COMMENTS