Arrestohet një serb për krime lufte në Lipjan

Arrestohet një serb për krime lufte në Lipjan

Policia e Kosovës, ka arrestuar G.S., shtetas i Republikës së Kosovës, i cili i takon nacionalitetit serb. Ai është arrestuar nën dyshimin se ka kryer krime të luftës kundër popullatës civile shqiptare.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin se, sot, gjatë ditës është arrestuar i pandehuri G.S., i nacionalitetit serb, shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje me të pandehurit e tjerë ka kryer veprën penale “Krime Lufte kundër popullsisë civile”, nё kundërshtim me nenin 142 lidhur me nenin 22 tё Kodit Penal tё Republikës Socialiste Federale tё Jugosllavisë (KPRSFJ) lidhur me Nenin 3  tё Konventës sё katёrt tё Gjenevës, po ashtu e penalizuar me nenin 146, lidhur me nenin 31 tё Kodit Penal tё Republikës se Kosovës.” thuhet në njoftimin e Prokurisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit të policisë, me datën 15 dhe 16 prill, 1999, G.S ka kryer krime lufte kundër popullsisë civile në Komunën e Lipjanit dhe rreth saj. Ai akuzohet se ka përdorur forcën ushtarake kundër civilëve, përdorim dhune, plaçkitje dhe frikësim të popullsisë civile shqiptare.

“Prokuroria Speciale njofton se ekziston dyshimi i bazuar se gjatë periudhës kohore, 15 dhe 16 prill 1999, i pandehuri G.S., nё bashkëkryerje me tё pandehurit tjerë pjesëtarë të njësive rezervë të njësive ushtarake dhe policor të Serbisë, gjatë një ofensive të drejtuar kundër popullsisë civile në Komunën e Lipjanit dhe lokaliteteve për rreth, me përdorimin e forcës ushtarake, dhunës, plaçkitjes dhe frikësimit, fillimisht kanë dëbuar popullsinë civile shqiptare nga shtëpitë e tyre, e pastaj nga familjet të cilat ishin duke u përpjekur që të largohen nga sulmet dhe dhuna, të pandehurit i kanë ndarë dhjetëra persona, të cilët pastaj i kanë vrarë.” shkruhet në njoftim.

Prokuroria Speciale ka kërkuar që “Gjykata Themelore në Prishtinë –Departamenti Special, caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit G.S., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën e lartcekur”

 

COMMENTS