Apostolova – liderëve: Mos jepni afate për heqjen e vizave

Apostolova – liderëve: Mos jepni afate për heqjen e vizave

Në prani të kryeministrit Ramush Haradinaj, shefes së zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, ambasadorit gjerman Christian Heldt, dhe ministres së Integrimeve, Dhurata Hoxha, është lansuar faza e re e fushatës për liberalizimin e vizave.

Kjo fushatë, që për qëllim ka qasjen e qytetarëve në informata të duhura se çka është dhe çka nuk është liberalizimi i vizave, u lansua me tone mjaft pesimiste, si nga Apostolova, po ashtu edhe nga Haradinaj. Që të dy ua kujtuan qytetarëve të Kosovës, se përveç që nuk ka afat për liberalizimin, ky proces mund të pezullohet, edhe në rast se fitohet. Apostolova bëri thirrje te liderët e Kosovës, që të mos nxitojnë në “dhënien e afateve artificiale”, rreth liberalizimit. Edhe pse nuk mohoi punën e mirë të institucioneve.

Shefja e BE-së tha se nëse nuk respektohen kërkesat ose kriteret liberalizimi mund të pezullohet.

Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj tha se e drejta e lëvizjes, vjen me përgjegjësi që qytetarët është mirë t’i dinë.

Ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha, tha se procesi i liberalizimit të vizave ka qenë sfidues si për institucionet ashtu edhe për BE-në.

Kurse ambasadori gjerman, Christian Heldt, u shpreh se në këtë proces të vendimmarrjes, kërkohet durim deri në rezultat.

Ambasadori Heldt shtoi se kjo fushatë është jetike për këtë proces, duke e përmendur se fushata vetëdijësuese është kërkesë e shteteve të BE-së. /kp

 

 

COMMENTS