Afër 90 aksidente e 35 të lënduar për dy ditë në Kosovë, reshjet e shiut pengojnë komunikacionin

Afër 90 aksidente e 35 të lënduar për dy ditë në Kosovë, reshjet e shiut pengojnë komunikacionin

Reshjet e mëdha të shiut dy ditët e fundit kanë vështirësuar qarkullimin e automjeteve nëpër rrugët e Kosovës.

Lajmi.net vazhdimisht ka raportuar për vështirësitë e qarkullimit që kanë ardhur si pasojë e rrëshqitjeve dhe shpërthimeve të gypave brenda qyteteve.

Ndërkohë, nga Policia e Kosovës për lajmi.net kanë bërë të ditur gjithashtu se dy ditët e fundit ka pasur shumë aksidente.

Bazuar në mesataren e numrit të aksidenteve të ditëve të kaluara dy ditët e fundit vërehet një rritje e tyre.

Bazuar në raportet 24 orëshe të Policisë së Kosovës, dje numri i aksidenteve ka qenë 42 ku të lënduar kanë mbetur 14 persona.

Kurse, pardje, numri total i aksidenteve ka qenë 45 prej të cilave aksidente 20 kanë qenë me lëndime trupore.

Policia e Kosovës ka kërkuar nga pjesëmarrësit në komunikacion e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve që vozitjen t’ia përshtatin kushteve të rrugës, në mënyrë që të kenë vozitje më të sigurtë dhe të shmangin aksidentet rrugore.

Ndërsa, lajmi.net ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Infrastrukturës për t’i pyetur se cila është gjendja e rrugëve në Kosovë.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu për lajmi.net është shprehur se sipas informacioneve që kanë gjendja e rrugëve është e mirë.

“Sipas informacioneve tona nga terreni dhe sipas raportimeve të drejtorisë së rrugëve dhe menaxherëve regjionalë, gjendja e rrugëve është e mirë dhe e kalueshme”, tha Kadriu për lajmi.net.

Gjithashtu ai është shprehur se ekipet e mirëmbajtjes e kanë obligim që 24 orë të jenë në kujdestari.

“Gjatë orëve të mbrëmjes ka pasur reshje të mëdha dhe ka pasur erodime të vogla, mirëpo të gjitha ekipet kanë qenë në terren, sepse të gjitha ekipet e mirëmbajtjes e kanë obligim që 24 orë të bëjnë kujdestari”, tha Kadriu për lajmi.net.

Shiu dhe erërat e forta përveç bllokimit dhe pengimit të komunikacionit këto dy ditë kanë shkaktuar edhe dëme materiale nëpër shtëpi e biznese.

 

COMMENTS