A do të luajë Hadergjonaj për Kosovën? Flet Challandes

A do të luajë Hadergjonaj për Kosovën? Flet Challandes

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, ka bërë të ditur se Kosova është ende duke e pritur përgjigjen e mbrojtësit të Huddersfieldit, Florent Hadergjonajt, nëse dëshiron të luajë për Kosovën apo jo.

Mbrojtësi i krahut të djathtë ende nuk ka vendosur nëse dëshiron ta përfaqësojë Kosovën apo Zvicrën në skenën ndërkombëtare, përkundër që deri më tani ka qenë pjesë e Kombëtares së Zvicrës për grupmoshat më të vogla, raporton Gazeta Express.

Megjithatë, Hadergjonaj ka ende mundësi ta zgjedhë Kombëtaren e Kosovës, pasi që ende nuk ka bërë asnjë paraqitje zyrtare për Zvicrën.

“Kam biseduar shpesh muajin e fundit me Florent Hadergjonajn dhe ai nuk na dha përgjigje për Kosovën. Unë e pranoj se ai mund të vendos vet dhe tashmë Zvicra e ka ftuar”, ka thënë Challandes në konferencën për shtyp para ndeshjes së Kosovës kundër Maltës në “Fadil Vokrri” të enjten në Ligën e Kombeve.

“Nëse ai luan një minutë në këto dy ndeshje, atëherë do ta luajë gjithmonë për Zvicrën. Kam respekt për vendimin e tij sikurse edhe për Albian Ajetin. Unë dua që lojtarët që vijnë të luajnë për Kosovën të japin maksimumin dhe jo ta kenë vetëm si opsion të dytë”.

Situatë të ngjashme me atë të Hadergjonaj e kishte pasur edhe sulmuesi Albian Ajeti, i cili në fund kishte zgjedhur të luante për Kombëtaren e Zvicrës. /Gazeta Express/

 

 

COMMENTS