800 mijë votues! Numri që i duhet Kryeministrit të dielën

800 mijë votues! Numri që i duhet Kryeministrit të dielën

Nga: Ermal Mulosmani 

Të dielën do të jetë një Referendum popullor më shumë sesa Votim. Palët i kanë mobilizuar në maksimum votuesit e tyre. Pushteti për të marrë pjesë e Opozita për bojkot. Kush shkon në votime është votues i Partisë Socialiste, kush nuk shkon është opozitar. Në këtë logjikë, në dukje transparente, diçka çalon.

Janë votuesit që punojnë në shtet dhe duan të votojnë kundër pushtetit. Edhe familjarët e tyre. Dje takova një mik të vjetër. Punon në një prej Drejtorive Rajonale të Shëndetësisë, do edhe shtatë vjet të dalë në pension. Biseda ra te situata politike, siç e do zakoni.

Më pyeti “A do votosh”?

“Jo” – iu ktheva, nuk do votoj. Po ti? -e pyeta

Heshti pak e më tha “Unë jam i detyruar. Dhe jo vetëm unë por edhe gruaja e vajza e vogël. Nëse nuk votoj, këta, nesër do e gjejnë një sebep e do më heqin nga puna. Nuk kam ndërmend të eksperimentoj për këtë kohë që ka mbetur”.

Aty kuptova problemin më të madh të këtyre votimeve. Nuk është se do të ketë vetëm një alternativë. Problemi më i madh është cënuar fshehtësia e votës! Rreth 100,000 ose më shumë  votues, që marrin rrogë në shtet ose i lidh një punë e rëndësishme me shtetin janë të kërcënuar të shkojnë në votimet e së dielës. Askush nuk mund ta dijë sa prej tyre janë kundër këtij pushteti por, më një logjikë minimaliste po them 20,000.

Referendumi i lartpërmendur, në këtë rast, ka një kleçkë jo të vogël. Jo të gjithë ata që marrin pjesë në votime e mbështesin vullnetarisht Partinë në pushtet. Po çfarë do të bëjnë ata njerëz që do shkojnë në votime dhe nuk kanë vullnet të votojnë? Sipas të gjitha gjasave ata do ta bëjnë të pavlefshme fletën e votimit duke u rënë vizë kandidatëve.

Kështu që Referendumi duhet të quhet i saktë duke marrë për bazë numrin e fletëve të vlefshme dhe jo numrin e votuesve. Unë mendoj se do ketë shumë fletë të pavlefshme si puna e atij mikut tim që përmenda më lart.

Si përfundim, kush e përcakton fituesin e Referendumit popullor dhe çfarë ndodh në përfundim të tij?

Sipas Open data Albania dhe gazetës “Shqiptarja.com”, në këto zgjedhje të drejtën për votë e kanë rreth 3,500,000 votues. Kjo shifër i referohet Gjendjes Civile dhe nuk është e saktë. Sipas censusit të vitit 2011 jashtë Shqipërie jetojnë rreth 35% e popullsisë së regjistruar në Gjendjen Civile ose rreth 1.2 milion votues.

Pra, në Shqipëri rezidentë me të drejtë vote janë rreth 2,3 milionë.

Referuar zgjedhjeve të vitit 2017, në Shqipëri kanë votuar 1,614,000 votues ose rreth 70% e numrit të përgjithshëm të tyre. Nga këto Partia Socialiste mori 765,000 vota ose rreth 47% të totalit. Atëherë, kush do të quhet fitore e Opozitës dhe kush fitore e Pushtetit?

Si fillim, fitoren e Partisë Socialiste në këtë Referendum e përcakton numri i votave të vlefshme jo numri i pjesëmarrësve. Por, kush është komisioni zgjedhor që i ndan votat e vlefshme nga të pavlefshme? A ka ndonjë të interesuar të mbrojë interesat e Opozitës në këtë Komision? Këtu dalim në një problem tjetër. Me siguri që Komisionet e dominuar nga socialistët do të nxjerrin që të gjitha fletët e votimit janë të vlefshme.

Por megjithë këtë problem, nëse numri i përgjithshëm i votuesve e kalon 800,000, atëherë, Partia Socialiste ka të drejtë të thotë që e ka ruajtur mbështetjen popullore. Pavarësisht skandaleve me tendera publikë, përgjimeve duke vjedhë vota, skandaleve financiare të panumërta apo arrogancës së paparë ndonjëherë ndaj të gjithëve. Nëse në zgjedhje marrin pjesë 800,000 vetë, Kryeministri ka të drejtë të thotë që qeverisja ime ka mbështetjen popullore.

Por, nëse Kryeministri nuk arrin të nxjerrë në votim më shumë se 800,000 vota, atëherë, ky është një tregues që e ka humbur mbështetjen popullore. Atëherë nuk i bën punë as Palmeri, as Fallxhorja, as Likja e as Artisti.

Demokracitë funksionojnë me vota. 800,000 vota është rreth 34% e votuesve. Nëse nuk i merr tregon që ke humbur shumicën.

 

COMMENTS