​Kuka ia siguron Kosovës edhe një medalje tjetër të artë në xhudo

​Kuka ia siguron Kosovës edhe një medalje tjetër të artë në xhudo

Xhudistja kosovare, Liridona Kuka, ka arritur ta fitojë medaljen e artë në finalen e Grand Prix’it në Tashkent të Uzbekistanit, në ndeshjen kundër austriakes Graf Bernadette.

Në finale, Kuka u përballë me austriaken , të cilën e mposhti me Ippon, në kategorinë -78 kilogramëshe, raporton Gazeta Express.

Gjatë kohës së rregullt të kësaj finaleje, asnjëra nga dy xhudistet nuk arriti ta fitojë ndeshjen dhe ndeshja shkoi në “Golden Score”, ku triumfoi Kuka.

Për ta arritur deri në finale Kuka u përballë me gjermanen Luise Malzahn në gjysmëfinale, të cilën e mposhti me Ippon. Ndërsa, Bernadette e mposhti polaken Pacut Beata.

Po ashtu, edhe xhudistet e tjera kosovare kanë treguar sukses në këtë turne. Distria mori medaljen e artë dhe grumbulloi 700 pikë në kategorinë -48 kg, po aq pikë ka fituar edhe Majlinda në kategorinë -52 kg pasi mposhti në finale Evelyne Tschopp.

Kurse Nora Gjakova që fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë -57 kg ka grumbulluar 490 pikë. Të gjitha këto pikë janë të rëndësishme pasi që vlejnë për kualifikimin në Lojërat Olimpike. /Gazeta Express/

 

 

COMMENTS